Vllaznia do udhëtojë sot drejt Durrësit në kuadër të javës së 24-të të kampionatit. Shkodranët do kenë përballë skuadrën më në formë të kampionatit. Dhe me një transfertë si kjo kundër Teutës, gjithçka duket shumë e komplikuar sot për Vllazninë. Kjo pasi edhe kuqeblutë duan reagimin pas humbjes me Kastriotin.
Për shkodranët lind detyra për të reaguar duke parë se sot luhet edhe derbi Partizani-Tirana. Dhe nga kjo ndeshje mes dy rivalëve direktë për titull, mund të jetë një bonus për 9 herë kampionët e vendit.
Por tradita e ndeshjeve në Durrës është shumë negative për Vllazninë në thuajse 10 vitet e fundit. Kjo pasi shkodranët nuk fitojnë në qytetin bregdetar prej vitit 2014.
Do ishte java e dytë e edicionit 2014-15, ku Vllaznia fitonte 0-1 në “Niko Dovana”. Ai që vendoste sfidën do ishte Arsid Kruja. Goli i mesfushorit do vendoste gjithçka në minutën e 73-të. Që nga ajo ndeshje, Vllaznia nuk fiton në Durrës dhe thuajse janë plotësuar 10 vite.
Një periudhë shumë e gjatë duke e shndërruar transfertën durrsake në një tabu të vërtetë.
Ndoshta sot do ishte momenti i duhur që Vllaznia ta thyente këtë traditë negative.
E duke parë edhe objektivat që kanë kuqeblutë, një fitore në Durrës nuk do ishte aspak e çuditshme. Gjithsesi se si do shkojë dueli do e kuptojmë pas orës 18:00, ku do përfundojë gjithçka në ndeshjen Teuta-Vllaznia.
Endri ÇINARI