Teuta qëndroi në heshtje në pjesën më të madhe të kësaj dritareje transferimesh dhe në këto javë të fundit klubi durrsak është zgjuar dhe po bën lëvizje të njëpasnjëshme. Pas rikthimit të Karabecit, një tjetër rikthim është zyrtarizuar ditën e djeshme. Aleksandros Kuros ka arritur marrëveshjen me klubin për një kontratë njëvjeçare, që do të përfundojë verën e ardhshme. Lajmin e ka bërë me dije vetë klubi ditën e djeshme përmes një njoftimi zyrtar në rrjetet sociale.

“KF Teuta njofton se ka arritur marrëveshje për rikthimin e Aleksandros Kuros në klubin tonë. Rikujtojmë që Aleksandros Kuros rikthehet pas dy vitesh. Brenda kësaj periudhe ishte pjesë e ekipit të PAEEK, ndërsa së fundmi luajti për ekipin e FC Doxa. KF Teuta i uron mirëseardhjen futbollistit, që u shpall kampion me durrsakët përpara dy sezoneve. Gjithashtu, në të kaluarën me fanellën e Teutës, Kuros ka fituar një trofe të Kupës dhe 2 trofe të Superkupës”, shkruhet një njoftimin e klubit.

Në dy sezonet e fundit mbrojtësi u aktivizua në Qipro. Gjirokastriti pritet të zërë menjëherë një vend titullari në formacion. Lajmi i mirë është edhe se Teuta e ka zgjidhur problemin e bllokimit të merkatos dhe të gjitha blerjet e reja, bashkë me 29-vjeçarin do të jenë gati për ndeshjen e radhës ndaj Bylisit për javën e dytë të Kategorisë Superiore.

FORMACIONI – Pasditen e djeshme në orën 18:00 Teuta zbriti në fushën e lojës për të kryer stërvitjen e radhës para ndeshjes me ballshiotët, ku do të kërkohet reagimi, pas disfatës ndaj Laçit. Trajneri Arapi ditë pas dite po qartëson idetë mbi formacionin, teksa në këtë ndeshje do të ketë më shumë alternativa.

Emra si Karabeci, Oshafi apo së fundmi Kuros pritet të gjejnë hapësira që në ndeshjen ndaj Bylisit. Merkatoja është e hapur edhe për disa ditë dhe me shumë mundësi Kuros nuk është afrimi i fundit për bregdetarët, pasi janë disa pozicione ku trajneri Arapi kërkon përforcime.