Teuta vazhdon serinë e fitoreve radhazi dhe po ngjit pak nga pak hapat në renditjen e Superiores. Durrsakët kanë siguruar të tretën radhazi duke bërë surprizën në “Air Albania” përballë Tiranës vendase të cilën e kanë mundur me shifrat 2-1.

Skuadra durrsake kishte një plan më të qartë loje përballë Tiranës, duke neutralizuar plotësisht sulmin kundërshtar, teksa u përpoq disa herë të godiste portën e Kozit. Goli erdhi vetëm në fundin e pjesës së parë me anë të një veprimi mjeshtëror të Jazxhi. Më pas, ishte Daci ai i cili dyfishoi shifrat në fillimin e pjesës së dytë, duke ia bërë më të thjeshtë durrsakëve vijimin e takimit.

Lëvizjet e Fagut me zëvendësimet nuk kishin efekt dhe bardheblutë prodhuan pak raste për shënim. Ata u zgjuan vetëm në fund me golin e Lulajt, por ishte shumë vonë për të ndryshuar fatin e këtij takimi që i lë përsëri jashtë zonës së katërshes së parë.

TIRANA-TEUTA 1-2
90′ Lulaj / 45′ Jazxhi, 51′ Daci