Teuta ka zhvilluar dje testin e parë miqësor ndaj Skënderbeut U-19 në Korçë. Një paraqitje e mirë e skuadrës së drejtuar nga trajneri Renato Arapi, që arriti të fitojë me rezultatin e thellë 8-0.

PJESA E PARË – “Djemtë e detit” e nisën mirë takimin dhe goli i avantazhit nuk vonoi, me Lorenco Vilën, që në minutën e 5-të, fillimisht godet me kokë dhe topi përplaset në traversë e më pas me këmbë çon topin në rrjetë. 12 minuta pas golit të parë është sërish Vila, i cili me një goditje nga larg shkund rrjetën e vendësve, duke dyfishuar shifrat.

Në minutën e 33-të mesfushori Ledio Beqja përfiton nga një krosim perfekt i Kotobellit dhe mposht portierin me një parabolë mjaft të bukur. Në minutën e 42-të mbrojtësi Idrizaj merr një top në krahun e djathë, depërton bukur në hyrje të zonës kundërshtare, ku kroson në mënyrë perfekte, aty ku Kapllani arrin të ekzekutojë dhe çon rezultatin në 4-0. Pjesa e parë mbyllet me avantazhin e katër golave të Teutës, ndërsa në të dytën trajnerët bëjnë shumë zëvendësime.

PJESA E DYTË – Pjesa e dytë foli sërish tërësisht për Teutën. Skuadra blu ishte e vendosur mirë në fushë dhe arriti të gjente golin e pestë me Grudën. Në minutën e 50- të sulmuesi merr një top në fundore, futet në zonë dhe me një goditje të fortë realizon për 5-0. Më pas skenën e merr sulmuesi Boçi, i cili i shmanget bukur mbrojtjes korçare, del tek për tek me portierin dhe me një goditje të kalibruar shënon golin e 6-të.

I riu nuk mjaftohet me kaq, sepse 10 minuta më pas është sërish Boçi, që merr nën kontroll topin dhe me një goditje të fortë e çon topin në cepin e rrjetës për golin e 7-të. Më pas Rigel Tepshi në të 85-ën, realizoi brenda zonës pas një pasimi të marrë nga Boçi, duke vulosur. Një provë mjaft e mirë për Teutën, që të enjten pritet të zhvillojë tjetër miqësore.

AFRIMET – Alban Çejku, Patrik Treni dhe David Gjinollari janë lojtarët që po stërviten me Teutën prej ditësh. Dy të parët vijnë nga Tirana U-21, ndërsa mbrojtësi i majtë, Gjinollari, pas aventurës me Burrelin në Kategorinë e Parë. Tre lojtarët ende nuk janë konfirmuar nga klubi, por mund të firmosin në vijim.