Trajneri i Laçit, Shpëtim Duro ka zbuluar dëshirën e merkatos së tij për tek kurbinasit. Dëshira e merkatos së tij ka qenë Lorik Boshnjaku, i cili tashmë është bërë pjesë e Vllaznisë.

Tekniku 62-vjeçar tregon edhe arsyen pse nuk guxuan për Boshnjakun, për të cilin thotë se shkodranët kanë marrë një futbollist të jashtëzakonshëm.

Duro u shpreh se kjo ishte një dëshirë e tij personale, teksa kosovarin e kishte në preferencat e tij që para tre sezonesh. Ai theksoi se nuk e mendonte se Boshnjaku do lëvizte nga Prishtina dhe prandaj nuk u kontaktua fare.

“Dëshira ime pas ikjes së Juljan Shehut ka qenë Lorik Boshnjaku, të cilin e mori Vllaznia. Këtë futbollist e kam pëlqyer që para tri sezonesh.

Boshnjaku ishte një ide imja që para dy muajsh, por mendova se nuk do të lëvizte nga Prishtina. Vllaznia, si duket, i ka pasur kontaktet më të avancuara.

Ne si klub nuk kemi pasur kontakte direkte me futbollistin, vetëm ka qenë një ide imja dhe një bisedë me një personazh të futbollit në Kosovë. Gjithnjë isha me idenë se nuk do të lëvizte nga Prishtina, pasi konsiderohej si “flamur” i këtij klubi.

Megjithatë, Vllaznia sigurisht është treguar më e shkathët, ka hyrë në bisedime dhe për mua ka marrë një futbollist jashtëzakonisht të mirë”,-tha gjatë prononcimit të tij, trajneri i Laçit, Shpëtim Duro.
Maringlen ZHIVANI