Nga Endri ÇINARI

Vllaznia arriti të fitonte në javën e 9-të të Superiores. Shkodranët triumfuan në përballjen ndaj Skënderbeut në shifrat 0-2. Një takim plot vuajtje për kuqeblutë që arritën ta zgjidhnin ndeshjen vetëm në limite. Ku një autogol i korçarëve dhe goli i Delajt vendosën gjithçka.

Por kjo ishte edhe fitorja e parë jashtë fushe këtë sezon për Vllazninë, ku duhet të vinte java e 9-të që shkodranët të merrnin pikët e plota jashtë Shkodrës. Në të gjithë fazën e parë, kuqeblutë kanë marrë 3 fitore, 3 barazime dhe 3 humbje. Duke pasur një ritëm të njëjtë, por jo të kënaqshëm të pikëve në këtë fazë.

Tashmë pas kësaj fitorje të marrë në qytetin juglindor, lind detyra që për ekipin e Memellit të krijohet një vazhdimësi. Duke nisur që nga ndeshja e kësaj jave kundër Kukësit. Ku tashmë pas fitores së fundit kundër Laçit në shifrat 1-0 edhe kuksianët duket se e kanë lënë pas periudhën e “errët”.

Ekipi do jetë sërish në transfertë dhe tani që “akulli u thye” në Korçë, kërkohet një sukses edhe në Kukës. Aspak i pamundur duke parë që diferencat mes ekipeve në kampionatin tonë thuajse nuk ekzistojnë dhe tashmë asnjë rezultat nuk sjell ndonjë surprizë të madhe.