Thomas Brdariç vazhdon përpjekjet e tij për të ndërtuar një skuadër të fortë dhe për këtë arsye po synon që të marrë tek Drenica lojtarë që ai i njeh dhe ua di mirë vlerat. Si rrjedhojë, gjëja e parë që ka bërë ka qenë marrja e Victor Da Silvës dhe Fjoart Jonuzit.
Dy lojtarëve që ai i kishte stërvitur për gati dy vite te Vllaznia. Të dy ata kanë firmosuar tashmë me skuadrën kosovare që drejtohet nga trajneri gjermano- kroat.
Por përpjekjet e tij për të forcuar skuadrën nuk janë ndalur këtu dhe ditën e sotme tek Drenica është prezantuar edhe ish- kapiteni i Tiranës Ian Soler. Lajmi bëhet i ditur në faqen zyrtare të këtij klubi ku shkruhet:
Ian Soler, përforcimi i radhës i FC Drenicës!
FC Drenica ka kënaqësinë të njoftojë arritjen e marrëveshjes me futbollistin Ian Soler, i cili nga sot do të jetë pjesë e familjes kuqezi.
Soler vjen si një përforcim i rëndësishëm për skuadrën, duke sjellë cilësi, energji dhe konkurrencë të shtuar në repartet e lojës. Me përvojën, disiplinën dhe karakterin e tij në fushë, ai pritet të japë kontribut të menjëhershëm në realizimin e objektivave të klubit për këtë edicion.
Klubi i uron mirë se erdhe Ian Soler dhe shumë suksese me fanellën kuq e zi të FC Drenicës! Forca Drenica!


