Sokol Cikalleshi në ndeshjen e sotme që Konyaspori zhvilloi me Goztepe arriti të gjente rrugën e rrjetës në minutën e 5-të të takimit, teksa ky do të ishte edhe goli i 10-të sezonal i sulmuesit kavajas me skuadrën turke në këtë sezon.

31-vjeçari është kthyer në një lojtarë të rëndësishëm për skuadrën e Konyasporit, ku me paraqitjet e treguara ka arritur të ndihmojë skuadrën në marrjen e rezultateve pozitive në kampionatin turk, duke u renditur të dytët në tabelën e klasifikimit.

Sulmuesi i kombëtares është kthyer në një nga futbollistët e preferuar edhe të tifozëve të skuadrës, pasi në ndeshjen e ditës së sotme të preferuarit e dy fëmijëve ishin Cikalleshi dhe Skubic ku kishin një kërkesë të veçantë për dy lojtarët, por ajo që ra në sy ishte pankarta që mbante njëri nga fëmijët i cili në shqip i kërkonte fanellën sulmuesit kavajas.

“Sokol Cikalleshi, të duam shumë. Mund të më jepni fanellën tuaj kur të përfundojnë ndeshja?“, shkruhej në gjuhën shqipe në pankartën e tifozit të vogël. Një nga kërkesat më të veçanta kjo për sulmuesin shqiptar, që me shumë mundësi do i plotësojë dëshirën tifozit të vogël.