Tirana është mbushur me tifozë, teksa kryeqyteti shqiptar mirëpret ndeshjen finale të Conference League, e cila luhet nesër mes Romës së Italisë dhe Feyenoord-it të Holandës.

Atmosferë e zjarrtë raporton gazetarja Ema Shazivari për Radar Informativ në pedonalen e Tiranës. Aty janë mbledhur tifozët holandezë, ndërsa festojnë me muzikë dhe birra.

Shumë prej tyre janë shprehur të kënaqur për qëndrimin në Tiranë. Atmosfera paraqitet festive, ndërsa herë pas here aty patrullojnë forca të policisë për të vëzhguar.

Me mijëra tifozë kanë mbërritur në Shqipëri përmes portit të Durrësit dhe aeroportit të Rinasit. Pasditen e sotme shkelën tokën shqiptare edhe dy ekipet që do të ndeshen.