Quhet Manolo dhe në Spanjë e shohin si një pasuri kombëtare. Tifozi i njohur i Spanjës dhe Valencias shëtit prej shumë vitesh të gjithë botën me daullen e tij në ndjekje të përfaqësueses spanjolle dhe ka qenë shpesh pjesë e festimeve të saj në fushë kur ajo ka arritur triumfe në aktivitete madhore. Por koronavirusi ka shkatërruar ekonominë në shumë vende të botës dhe as Manolo nuk i ka shpëtuar dot.

Ai kishte një lokal shumë pranë stadiumit të Valencias, i kthyer në pikë turistike. Por tashmë ai është i mbyllur prej më shumë se dy muajsh dhe me kthimin e ndeshjeve me dyer të mbyllura në stadiume, pakkush do t’i afrohet lokalit të tij. Ndaj tifozi i njohur spnajoll, edhe pse nuk do të dëshironte kurrë, mund të jetë i detyruar të heqë dora nga daullja historike e qindra ndeshjeve.

“Nuk kam asnjë të ardhur pasi lokali është i mbyllur, kam 800 euro pension shtetëror dhe duhet të paguaj 420 euro qera. Situata ime ekonomike është shumë e keqe. Në këto muaj kam humbur shumë para pasi nuk mund të hapja lokalin, nuk mund të bëja asgjë”, pranoi ai i përlotur në një intervistë, ku I dëshpëruar konfirmoi vendimin që kishte marrë.

“Do të më duhet që të shes daullen që të kem për të ngrënë. Kam thënë gjithmonë që nuk do ta shisja kurrë, por në disa raste më kanë ofruar para për të dhe mund të heq dorë. Sinqerisht nuk di se çfarë të bëj”, tha ai mes lotëve, i ndarë mes vështirësisë së jetesës dhe daulles së tij historike për të cilën disa vite më parë u mobilizua policia spanjolle duke ia gjetur në kohë rekord pasi ia vodhën. /vipsport/