Tirana ka zhvilluar ditën e djeshme seancën e radhës stërvitore në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri futbollistik. Të gjithë lojtarët u vendosën nën urdhrat e trajnerit Orges Shehi për të marrë ngarkesën e nevojshme. Risia në këtë seancë ishte grumbullimi i 3 lojtarëve të rinj nga Akademia bardheblu, konkretisht nga skuadra U-19. Politikat e klubit tashmë dihen.

Futbollistët premtues, edhe pse në ekipet zinxhire, u jepet mundësia në ekipin e parë të tregojnë vlerat e tyre duke firmosur edhe kontrata profesioniste. Një prej tyre që iu bashkua dje Tiranës ishte Kleidi Hoxha. 17-vjeçari la përshtypje pozitive në stafin teknik, megjithatë është ende herët për të pasur mundësi në ekipin e parë.

Ai luan si qendërmbrojtës dhe saktësia në prapavijë, i jep nota pozitive. Ndër vite Akademia e Tiranës ka prodhuar talentë që i kanë shërbyer skuadrës bardheblu, por edhe futbollit shqiptar. Së fundmi, është ky 17-vjeçar kryeqytetas që shfaqet në stërvitje me ekipin e parë të Tiranës.

Ka spikatur te “Football Republic”, ndërsa prej 2 vitesh është pjesë e bardhebluve. Gjatë periudhës kur te moshat drejtonte Bledar Devolli, Hoxha ishte titullar i padiskutueshëm. Me emërimin e Jul Ahmatajt te Tirana U-19, udhëzimi i tij ka qenë që Kleidi të stërvitet me ekipin e parë për shkak të cilësive që zotëron. Shtatlartësia dhe saktësia në vertikalizimin e topave, janë dy nga karakteristikat e këtij lojtari që siç duket do të ketë të ardhme të ndritur në klubin më të titullar në vend.