Vllaznia do presë ditën e shtunë skuadrën e Tiranës në Shkodër, në kuadër të javës së 24-të të kampionatit. Ndeshja klasike e futbollit tonë do luhet në orën 16:45, në stadiumin “Loro Boriçi”.

Një takim që pritet të sjellë “xixa” mes dy ekipeve që kanë shkruar një pjesë të artë të futbollit tonë. Pavarësisht se Tirana tashmë është shkëputur në krye të renditjes, dueli sërish mbart diçka speciale.

Rivaliteti ndër vite, por edhe ai i këtij sezoni pavarësisht se Vllaznia nuk është në pozitat siç mendohej në fillim të edicionit, e bën këtë një duel për të mos u humbur. Por dy ndeshjet e para të këtij sezoni kanë folur në favor të Tiranës. Bardheblutë kanë triumfuar në shifrat 0-2 në fazën e parë në Shkodër dhe kanë barazuar 0-0 me shkodranët në ndeshjen e fazës së dytë në “Air Albania”.

Por deri në këto momente në kampionat, Tirana është i vetmi ekip të cilit Vllaznia nuk i ka shënuar qoftë edhe një gol në këtë sezon.

25 herë kampionët e vendit e kanë ruajtur portën të paprekur ndaj shkodranëve deri më tani. Diçka që nuk ka arritur ta bëjë asnjë ekip në këtë sezon kundër Vllaznisë. Pra 180 minuta ende pa pësuar ndaj kuqebluve.

Një rekord nëse mund ta quajmë ky i kryeqytetasve. Rekord të cilin me patjetër Vllaznia do kërkojë ta thyjë para tifozëve të saj ditën e shtunë. Dhe pse jo ti dhurojë edhe një fitore në klasike që në këtë sezon dëshirohet shumë nga sportdashësit e zjarrtë shkodranë.
Endri ÇINARI