Kukësi në futboll për femra ka pësuar një humbje në ndeshjen e prapambetur të javës së parë të kampionatit. Në Barbullush ka qenë Tirana, e cila ka marrë fitoren e saj dhe ka mundur lehtësisht futbollistet shkodrane.

Ashtu sikurse ishte edhe parashikuar, Kukësi në futboll për femra ka pasur disa ndryshime në formacion, për shkak të disa futbollisteve të grumbulluara me Kombëtaren U-15. Megjithatë, pavarësisht këtyre ndryshimeve, Tirana e ka vendosur nën presion që në minutat e para ekipin e trajneres Paula Jaku, e cila luajti edhe vetë në fushën e lojës për plot 90-minuta.

Kryeqytetaset çanë mbrojtjen e skuadrës vendase me dy gola të shpejtë, në minutën e 12-të dhe të 15-të. Dy gola për tre minuta dhe kaq ka mjaftuar që futbollistet shkodrane të mos kenë forcë për të reaguar.

Ato mundohen tek-tuk me ndonjë goditje nga distanca, por fare pak, teksa Tirana është gjithnjë në zonën e vajzave të Kukësit. Herë portierja shkodrane Palali, e cila ka shpëtuar gola të sigurtë dhe herë kryeqytetaset që kanë qenë të pasakta në shënjestrën e tyre, e kanë shpëtuar Kukësin nga një humbje më e rëndë.

Në pjesën e dytë, ka ardhur edhe një gol tjetër i Tiranës në minutën e 74-të. Deri në fund, ndeshja nuk do të kishte më histori dhe gjithçka do të mbyllej me rezultatin 0-3 në favor të vajzave bardheblu.

Pas kësaj humbjeje, Kukësi në futboll për femra, i drejtuar nga trajnerja Paula Jaku renditet në vendin e pestë në tabelën e klasifikimit, në kuotën e gjashtë pikëve, teksa kanë shënuar 13-gola dhe kanë pësuar vetëm tre. /Maringlen ZHIVANI/

Kukësi-Tirana 0-3

Formacioni i Kukësit: Palali, Smajlaj, Selimi, Avullija, Jaku, Çerkini, Vasa, Tanushi, Toma, Smajli, Meta (u aktivizuan: Rrotaj, Prendi)