Vllaznia U-17 ka fituar ndeshjen me Laçin 1-2, në takimin e luajtur këtë fundjavë në aneksin e stadiumit në Laç. Kështu, ky ekip ndeshje pas ndeshje po vijon ecurinë pozitive në kampionat dhe padyshim që një ndër protagonistët kryesorë të Vllaznia U-17 mbetet Gerald Kubazi, i cili i ka dhënë fitoren ekipit të tij në Laç ndaj vendasve.

Realisht, ka qenë një lojë e dominuar nga kuqeblutë e trajnerëve Gilman Lika dhe Denis Zmijani. Si rrjedhojë, gjithçka ka folur në favorin e tyre dhe në fund të ndeshjes, shkodranët kanë marrë një tjetër trepikësh.

Kështu, në pjesën e parë ka qenë Sylja që ka kaluar në avantazh Vllazninë me golin e shënuar që në minutën e shtatë. Në minutën e 18-të, Laçi ka barazuar shifrat, duke e dërguar rezultatin në 1-1. Me këtë gol është mbyllur pjesa e parë e ndeshjes.

Ndërkohë, në pjesën e dytë ka vijuar sërish loja e mirë e kuqebluve, që pak para fundit kanë shënuar edhe golin e dytë me një penallti me anë të të zakonshmit Gerald Kubazi, në minutën e 82-të të ndeshjes. Deri në fund, ndeshja nuk do të kishte më histori dhe gjithçka është mbyllur me fitoren 1-2 të Vllaznisë U-17.

Kjo e fundit, pas kësaj fitoreje, renditet në vendin e tretë në tabelën e klasifikimit, në kuotën e 11-pikëve në gjashtë ndeshje të luajtura deri më tani. /Maringlen ZHIVANI/

U-17: Laçi-Vllaznia 1-2

Golat për Vllazninë: Sylja 7’, Kubazi (pen) 82’

Formacioni i Vllaznisë: Lekaj, Kapllanaj, Selmani, Marashi, Ars. Gërbeti, Kubazi, Çelepija, Guri, Ara, Hajdari, Sylja (u aktivizuan: Hotaj, Toni, Kraja, Hoxha, Smakaj) Tr: Gilman Lika