Ka reaguar menjëherë Tirana, pas ofertave të mbërritura nga Vllaznia në adresë të të lojtarëve të saj. Bëhet fjalë për dy shkodranët: Bekim Balën dhe Gilman Likën si dhe për lezhjanin Erjon Dushku, më të cilët drejtuesit më të lartë të Vllaznisë kanë patur kontakte, gjatë ditëve të fundit, ku kanë biseduar konkretisht mbi mundësinë e mbërritjes së tyre në Shkodër, gjatë merkatos së janarit. Por duket se reagimi i drejtuesve të klubit kryqytetas ka qenë i menjëhershëm, duke hdhur poshtë çdo mundësi, që këta tre futbollistë të bëhen pjesë e Vllaznisë, për fazën e dytë të kampionatit. “Askush nuk do të lëvizë nga Tirana në janar, aq më tepër Bala, Lika apo Dushku, që thuhet se i do Vllaznia. Jo vetëm atyre, por të gjithë futbollistëve do t’u përgjigjem shumë shpejt sa i takon çështjes së rrogave, të cilët ata e përdorin si preteks apo si presion ndaj nesh. Gjithçka është në rregull me ne, ku kemi biseduar me çdo lojtarë dhe gjërat do të marrin zgjidhje shumë shpejt”, kështu ka pohuar njëri nga drejtuesit më të lartë të klubit të Tiranës, duke i vënë “fre” kalimin të treshes Lika-Bala-Dushku tek Vllanzia në janar. Duket se shkodranët u munduan të shfrytëzonin situatën jo të mirë tek klubi kryeqytetas, ku futbollistët kanë tre muaj pa marrë rrogat, por duket se nuk ka vonuar shumë as reagimi i bardhebluve, që për momentin, ka hedhur poshtë të gjitha ato përpjekje të krerëve të Vllaznisë për të bindur treshen e lartpërmendur për t’u veshur kuqeblu. Pastaj nëse u referohemi shifrave, që këta futbollistë marrin tek Tirana, Vllaznia vështirë se mund t’ua plotësojë dëshirat në këtë situatë. Kështu Gilman Lika dhe Bekim Bala, që janë padyshim dy futbollistët më cilësor të Tiranës, marrin nga 8 milion lekë të vjetra në muaj, ndërsa mbrojtësi Erjon Dushku merr 4 milion lekë në muaj.
Mejdan Zhivani