Vllaznia, pasi ka ngritur trofeun e Grupit A, tani kërkon të marrë edhe titullin e Kategorinë e Parë. Një kupë simbolike, që do të shtonte në llogarinë e klubit edhe një shumë prej 30 milionë lekësh të vjetër.

Drejtuesit e kanë deklaruar hapur se duan fitoren ndaj Bylisit dhe rrjedhimisht paratë që ofron FSHF-ja. I të njëjtit mendim është edhe kapiteni. Gilman Lika, gjatë një prononcimi të dhënë për mediat, ka theksuar se marrja e kësaj kupe është detyrim për skuadrën.

Ai mendon se ky trofe do të ishte një lloj shpërblimi për vuajtjet që kanë pasur gjithë sezonin. “Ne bëmë vetëm detyrën tonë, duke kthyer Vllazninë aty ku e ka vendim. Normalisht, pas trofeut që morën në Grupin A do të kërkojmë edhe fitimin e titullit kampion.

Edhe pse një kupë simbolike, për ne vlen. Vllaznia ka vuajtur shumë këtë sezon dhe prandaj duhet që të bëjmë një mbyllje sa më të mirë. Do të ishte si shpërblim”, u shpreh kapiteni, i cili javët e fundit i ka luajtur me maskë pas atij dëmtimi të rëndë që mori në hundë.

Vllaznia ka bërë një sezon gati perfekt në inferiore. Shumë pak gabime gjatë rrugës bënë që Kategoria Superiore të sigurohej shumë shpejt. Por, që të gjithë janë të vetëdijshëm se tani do të nisë puna më e vështirë për shkodranët. Misioni u realizua me sukses, por u mbetet për detyrë drejtuesve dhe lojtarëve që të mbledhin forcat dhe rikthehen denjësisht në mesin e më të mirëve.

Kuqeblutë nuk festuan dhe ndoshta me të drejtë. E megjithatë, kapiteni thekson se Vllaznia duhet që të festojë kur të jetë ngjitur aty ku i takon, në majën e futbollit shqiptar.