Pasditën e djeshme, Pogradeci, që siç dihet këtë sezon po drejtohet nga trajneri shkodran Samuel Nikaj, ka arritur të marrë një tjetër fitore në javën e pestë të kampionatit të Kategorisë së Dytë.

Liqenorët kanë zhvilluar një lojë të mirë dhe kanë fituar me rezultatin e pastër 0-2 ndaj Butrintit. Golat e fitores janë shënuar nga Topllari dhe Shkullaku në pjesën e parë, më konkretisht në minutën e 9-të dhe të 37-të.

Kjo ka qenë fitorja e katërt e Nikajt në krye të kësaj skuadre në pesë ndeshje të luajtura deri më tani dhe duket se gjithçka po ecën mbarë për trajnerin shkodran në Kategorinë e Dytë. Në fakt, përballë ishte Butrinti, ekip që u mundua të tregojë vlerat e saj më të mira në fushën e lojës, ç’ka ia vështirësoi disi punën Pogradecit, por në fund ndeshjen e ka fituar ekipi i trajnerit shkodran Nikaj.

Tashmë, pas kësaj fitoreje, Pogradeci kryeson tabelën e renditjes me 13-pikë. Kështu, liqenorët po tregojnë se do të jenë pretendentët kryesorë për ngjitjen në Kategorinë e Parë gjatë sezonit që vjen.

Mënyra se si është ndërtuar Pogradeci i këtij sezoni tregon se objektivat janë shumë serioze dhe ngjitja një kategori më lart është detyrë për futbollistët që e përbëjnë këtë skuadër, si edhe për trajnerin shkodran Nikaj. Ky do të ishte ekipi i katërt me të njëjtin sukses nën drejtimin e Samuel Nikajt pas Flamurtarit të Prishtinës, Kastriotit të Krujës dhe Vushtrisë.
Maringlen ZHIVANI