Tomas Myler ka dalë në konferencë për mediat në prag të takimit të nesërm ndaj Kosta Rikës, i cili do të luajë një rol specifik, kualifikimin në fazën me eliminim direkt. Të besuarit e Hansi Flik kanë grumbulluar vetëm 1 pikë pas dy ndeshjeve të para, çka i detyron të fitojnë me patjetër në këtë sfidë, nëse dëshirojnë që aventura e tyre të mos përfundojë përpara kohe në Kupën e Botës “Katar 2022”.

Tomas ka dashur ta zhvendosë të gjithë fokusin te dueli në fjalë, madje duke prekur në mënyrë të cekët një tërheqje të mundshme apo forma e tij jo në nivelin e parashikuar përgjatë dy raundeve të para në turneun në fjalë.

KOSTA RIKA-”Sfida e nesërme do të vendosë shumë faktorë në lidhje me aventurën tonë në këtë Botëror. Kosta Rika tregoi se është një mur i vërtetë në repartin difensiv ndaj Japonisë dhe ne duhet të analizojmë deri në detaj se si të çkodojmë këtë mbrojtje të hekurt, më pas objektivi do të bëhej më i thjeshtë”, tha mesfushori i Bajernit.

KRAHASIMI ME 2014- ”Analiza e mediave dhe pritshmëritë e tifozëve, të cilët e vendosin përfaqësuesen tonë nën petkun e favoritit është e vërtetë. Në 2014-ën ne përfshiheshim në vazon e pretendentëve dhe të gjithë na shikon me një sy tjetër. Gjithsesi ndaj Spanjës vërtetuam se mund t’i bëjmë dëme kujtdo”, shprehej me bindje Tomas.

PRESIONI-”Do të ishte gabim nëse do të thosha se rezultatet e fundit kanë ardhur si rezultat i nervozizmit apo presionit të jashtëm. Aspektit taktik ka luajtur rol vendimtar. Ndaj Spanjës u përball me një situatë të sikletshme, pavarësisht pozitës ku ndodhemi, nesër kemi shansin e fundit për të vazhduar rrugëtimin tonë”.

TËRHEQJA-”Gjëja e fundit që mendoj në këtë moment, marrë në konsideratë situatën ku ndodhemi. Fitorja ndaj Kosta Rikës është e vetmja temë diskutimi në mendjen time, më pas të shohim se çfarë do të ndodhë”, pohoi “plakushi” i Bajernit pa dhënë një përgjigje të qartë.

FORMA E DOBËT-”Në stërvitje jam shumë i saktë në pasim dhe ndërhyrjet e kryera, ndërsa në fushë ndodh krejt e kundërta. Shpresoj se sfida ndaj Spanjës të jetë e fundit ku ta shikoj vetën në këtë gjendje jo të këndshme”, përfundoi mes buzëqeshjes Myler.