Dy vitet e fundit sidomos, flitet shumë për të në Itali dhe jo vetëm. E kemi fjalën për Tomas Strakoshën, i cili jo vetëm “ka lënë në hije” emrin e të atit- të mirënjohurit Foto Strakosha, por po krahasohet me të të mirët jo vetëm të Italisë.

Por një tjetër portier me të njëjtin emër ka nisur rrugëtimin në Shkodër. Besojmë të suksesshëm, njëlloj si Strakosha. Bëhet fjalë për Tomas Kirin, i datëlindjes 02.01.2005.

Të dhënat e deritanishme flasin për një portier që premton shumë për të ardhmen. Ai është pjesë e ekipit U-13 të Akademisë Vllaznia, fiton çdo sezon trofeun e portierit më të mirë të kampionateve të Ligës Amatore, është pjesë e kombëtares së kësaj moshe për Veriun dhe me siguri që do të vazhdojë të jetë edhe i kombëtareve të tjera.

Fillimisht me të është marrë i mirënjohuri Paulin Ndoja ndërkohë që tashmë po punon fort Ideal Lekiqi. Ky i fundit e konsideron një nga portierët më të perspektivës megjithatë kërkon nga ana e tij që të mos e ulë punën nëse don të arrijë diçka.

Vllaznia vitet e fundit ka vuajtur për portier dhe mbase për pak vite, do ta ketë një të tillë. Por të gjithë shpresojnë që karriera e Tomas Kirit të mos mbetet vetëm në Shqipëri.

Me të dhënat që ka, pse jo të mos jetë një Tomas Strakosha i dytë nëpër ekipet europiane.
© shkodrasport.com