Vllaznia ditën e djeshme është nisur drejt Austrisë për fazën përgatitore që do zgjasë dy javë. Grupi ka qenë i plotë dhe me skuadrën nuk ka udhëtuar vetëm Latifi. Ku prishtinasi prej disa ditësh nuk gëzon një gjendje të mirë shëndetësore. Gjithashtu edhe përforcimet në këtë merkato janë pjesë e grupit të futbollistëve.
Kjo për të pasur vëmendjen tashmë vetëm tek përgatitjet për Europën dhe jo lëvizjet në merkato. Për momentin Vllaznia duket e plotësuar dhe vetëm ndonjë goditje në repartin e sulmit do ishte “qershia mbi tortë” për të formuar një skuadër shumë të fortë. Por reparti për momentin që duket se ka më shumë “trafik” për momentin është ai i mesfushës.
Me stilin 4-3-3 apo 4-2-3-1 që aplikon shpesh trajneri Josa, qendra e mesfushës është ajo që jep opsione të shumta. Ardhja e Herald Markut para pak ditësh duket se ka dubluar çdo pozicion në atë repart. Kështu përveç mëngjërashit në skuadër gjatë kësaj merkatoje u afruan edhe Lorik Boshnjaku dhe Kristijan Vulaj.
Pa harruar Fjoart Jonuzin që prej dy vitesh është titullar i palëvizsshëm i formacionit kuqeblu apo edhe Elvedin Heriç. Ku ky i fundit duket se do ketë edhe njëherë besimin e stafit teknik. Një tjetër mesfushor, por i adhur nga akademia kuqeblu është edhe Rejan Alivoda. Përshtypjet e para për 19-vjeçarin janë shumë pozitive ku edhe ai do ketë shansin të tregojë vlerat e tij për të fituar një vend titullari.
Endri ÇINARI