Në momentin kur një skuadër vuan arritjen e rezultateve pozitive dhe mbërthehet nga kriza, i pari që e pëson dhe “bën valixhet” gati është trajneri. Ky rregull i pashkruar, është konkretizuar edhe në këtë sezon të Abissnet Superiores, teksa i fundit që e pësoi ishte Thomas Brdaric nga Vllaznia.

Kjo pasi nëse iu “hedh një sy” dhjetë ekipeve të elitës në futbollin shqiptar, atëherë vëren se vetëm dy janë klubet që nuk kanë ndryshuar “timonier” nga fillimi i sezonit. Fjala është për Tiranën e Orges Shehit e cila duket në rrugën e mbarë drejt titullit numër 26.

Tekniku i kryeqytetasve ka marrë drejtimin e bardhebluve prej 27 janarit të vitit të kaluar, teksa drejtuesit i besuan edhe në sezonin aktual e tashmë 44-vjeçari po koleksionon frytet e punës së tij.

Sakaq, një tjetër i cili i ka “mbijetuar” momenteve të errëta të një sezoni është Diego Longo i Kukësit. Italiani është në sezonin e tij të parë me verilindorët dhe ka hasur në shumë vështirësi, teksa tashmë ekipi lufton për një vend në Kupat e Europës pasi objektivi titull është venitur, ndërsa drejtuesit pavarësisht pengesave dhe traditës së të kaluarës këtë herë kanë pasur durimin për të inkurajuar punën e 46-vjeçarit.

Ndërkaq, tetë ekipet e tjera të Superiores kanë bërë të kundërtën dhe kanë shkarkuar ata me të cilët kanë nisur sezonin. Kalvarin e shkarkimeve e nisi Laçi që largoi teknikun Dejan Vukicevic me malazezin që rezistoi për vetëm pesë ndeshje.

Malazezi u pasua nga ndarja e Edi Martinit me Teutën, Gugash Maganit me Egnatian, Bledi Shkëmbit dhe Bledar Devollit me Dinamo, Ramazan Ndreut me Kastriotin, Ilir Dajës me Partizanin, Migen Memellit me Skënderbeun dhe së fundmi Thomas Brdaric me Vllazninë.