Vllaznia e basketbollit të meshkujve dështoi mbrëmë nga përpjekja për të qenë sërish në lojë për titullin kampion dhe e mbylli rrugëtimin e saj që në gjysmëfinale, pas dy humbjeve të pësuara ndaj Teutës.

Duke folur pas humbjes së djeshme në “Qazim Dervishi”, trajneri Afrim Bilali ka fajësuar pikësëpari lojtarët e huaj që nuk u shprehën ashtu si duhet në fushë, e kjo ndoshta ngaqë ata nuk e kanë ndjerë peshën e fanellës së Vllaznisë.

“Eliminimi është gjithmonë i papritur. Në fakt ishim përgatitur shumë për Teutën. Në ndeshjen e parë, fitorja ishte pothuajse e jona dhe gabimet e vogla bënë diferencën dhe Teuta i shfrytëzoi ato.

Në ndeshjen e dytë menduam se i korigjuam ato gabime dhe realisht kjo u pa në këtë përballje në lojën në mbrojtje, por gabuam në sulm. Kemi humbur 18 gjuajtje të lira dhe kjo është e pafalshme. Nuk arrij dot as ta shpjegoj këtë gjë, ndoshta ishte ngarkesa emocionale, ndoshta presioni. Mund të humbësh një apo dy gjuajtje të lira, por kurrsesi 18.

Kisha besuar shumë se ky ekip do të dilte kampion, mendoja se kisha në dispozicion lojtarët e duhur, por besoj se dëshira e lojtarëve të huaj mungon dhe ndoshta ajo fanella e Vllaznisë që për ne peshon shumë rëndë, por për ata ndoshta nuk është aq e rëndë.

Mendova se kisha elementin e duhur për ta drejtuar këtë ekip drejt titullit, por ndoshta kisha menduar gabim”- është shprehur trajneri Bilali./SHKODRA-SPORT.COM/