Akademia e Futbollit është fituesja e kampionatit të Kategorisë Superiore U-19 për edicionin 2020-2021 pasi mundi me rezultatin 3-1 me penallti ekipin e Shënkollit, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Niko Dovana” në Durrës pasditen e sotme.

Koha e rregullt e ndeshjes u mbyll në barazim 1-1, me lezhjanët që kaluan të parët në avantazh me një gol mjaft të bukur shënuar nga brenda zone në minutën e nëntë të takimit nga Arli Pergjoni. Kryeqytetasit barazuan rezultatin gjashtë minuta më vonë, teksa në minutën e 15-të, ishte Erjon Sina ai i cili vuri baraspeshën në “Niko Dovana”, duke goditur saktë një top me kokë pas një goditje nga këndi. Fraksioni i parë i lojës u mbyll me shifrat 1-1.

Në pjesën e dytë, skuadrat prodhuan disa raste të arta për gol, por nuk finalizuan dot në rrjetë. 3 minuta para përfundimit të kohës së rregullt, ekipi i Akademisë së Futbollit mbeti me 10 lojtarë në fushë, pas daljes me karton të kuq të Gogës. Loja nuk ndryshoi, me ndeshjen që mbyllet në barazim dhe skuadrat iu drejtuan 11 metërshave, që vendosën edhe fituesin e këtij edicioni në këtë kampionat.

Djemtë e Akademisë së Futbollit u treguan më të saktë nga pika e bardhë e penalltisë, duke triumfuar me rezultatin 3-1, përballë lezhjanëve të Shënkollit.

Këtë finale emocionuese e ndoqi nga afër edhe trajneri i Kombëtares shqiptare, Edoardo Reja, i cili i dorëzoi fituesve të Akademisë së Futbollit trofeun dhe medaljet e kampionit.

Kujtojme qe Akademia e Futbollit nuk u nis si pretendente per titullin kampion ngaqe ishte e renditur e katerta ne grupin B, por pas eliminit te Vllaznise qe konsiderohej favoritja kryesore per titullin, ajo mori zemer dhe sot u kurorezua si kampione.