Që Besëlidhja do të jetë “bio” kjo është thënë dhe stërthënë. Alban Bruka nuk tërhiqet nga strategjia e tij, gjë që e qartëson edhe për “Panorama Sport”. Numri një i pankinës lezhjane jep një mesazh të fortë edhe për merkaton. Ai qartëson se ekipi i tij nuk do të jetë “strehë” për ata që nuk kanë ku të luajnë, pasi kriter të panegociueshëm ka vetëm cilësinë.

Edhe pse mungojnë afrimet, Bruka është i vendosur për misionin madhor: Tentojmë elitën. “E kam deklaruar se boshtin e ekipit do ta ndërtoj me elementë vendës. Në merkato do të tregohemi të kujdesshëm, duke e studiuar mirë situatën pas çdo miqësoreje. Ne duam të godasim, ndaj cilësia është kriter i panegociueshëm. Sezoni 2021- 2022 do të ketë konkurrencë të fortë sa i takon kreut dhe mbijetesës, ndaj duhet të peshojmë çdo hap.

Sa u përket futbollistëve serbë nuk jam i kënaqur. Po i studiojmë dhe shumë shpejt do të vendosim. E kam theksuar dhe e theksoj me të madhe, fanellën do ta gëzojnë vetëm ata që me të vërtetë do të bindin, qofshin lezhjanë ose jo lezhjanë. Besëlidhja nuk mund të jetë një ‘strehë vorfnore’, por një ekip që ka objektiva të qartë për t’u ngjitur në Superiore”, u shpreh fillimisht Bruka, duke konfirmuar se nuk do të ketë afrime sa për numra.

MIQËSORET DHE SERBËT – Besëlidhja vijon stërvitjet intensive në kuadër të fazës përgatitore. Këtë javë janë planifikuar të zhvillohen dy ndeshje miqësore, të cilat do të luhen në Lezhë. Të mërkurën do të presin Besën, ndërsa të premten Partizanin. Alban Bruka është i kënaqur me gjendjen e grupit, por jo me prurjet. Trajneri e konfirmon se serbët nuk e bindën, paçka se u dha edhe një tjetër shans.

Asnjë prej 6 lojtarëve që solli Milan Gjorgjeviç nuk do të qëndrojë nga sa kuptohet. “Jemi në javën e dytë të stërvitjes dhe për këtë periudhë stërvitore jam i kënaqur. Mirë shkoi edhe miqësoja me Kastriotin, paçka se humbëm në rezultat. Por ajo që më ‘ngroh’ është performanca e futbollistëve të mi.

Kemi planifikuar edhe dy miqësore, nesër (sot) do të luajmë me Besën dhe të premten ndaj Partizanit. Jemi munduar që ndeshjet t’i alternojmë mes ekipeve të së Parës dhe Superiores. Përparësi po u japim skuadrave të elitës dhe sidomos atyre me pretendime madhore, siç është rasti i ‘demave’, pasi edhe ne synojmë ngjitjen.

Për rrjedhojë, duhet që të testohemi në shkallë të lartë vështirësie. Deri tani kemi nën urdhra lojtarë kryesisht lezhjanë, përfshi disa titullarë që mbyllën sezonin e kaluar, si Fetaj, Bushi, Luca, Redon e Ruben Danaj”, përfundoi numri një i pankinës lezhjane.