Një aksident rrugor u shënua mesditën e sotme në aksin Morinë–Kukës, pranë fshatit Përbreg, ku një automjet me targa të Kosovës ka dalë nga rruga dhe është përplasur me murin mbajtës të autostradës, duke rënë nga një lartësi disa metra anës rrugës.
Fatmirësisht, nga aksidenti nuk ka persona të lënduar, pasi drejtuesi i mjetit, Besart Cecelia, 48 vjeç, ka shpëtuar pa pasoja. Cecelia që është trajner i Basanias në Kategorinë e Dytë ka treguar momentin e aksidentit, duke thënë se ishte i lodhur dhe e kishte zënë gjumi.
Në lidhje me këtë aksident ka reaguar edhe klubi i Basanias, që nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare, ndër të tjera i ka bërë një thirrje të sinqertë autoriteteve rrugore, që të rishikojë patjetër barrierat metalike anës rrugës.
REAGIMI I PLOTË:
Në lidhje me ngjarjen e sotme, ku trajneri jonë Besart Cecelia përjetoj një situatë delikate rrugore.
– Prof. Besarti po rikthehej në klub për të vijuar punën pasi ishte shkëputur për tre ditë për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të nënës (ndjesë pastë) e cila ndërroj jetë tre ditë më parë.
– Situata emocionale dhe përgjumja ishte shkak i atij aksidenti në afërsi të qytetit të Kukësit, që fatmirësisht kaloj pa pasoja në njerëz dhe prof. Besarti është shëndosh e mirë dhe sapo është akomoduar në klub.
Basania FC falenderon Policinë Rrugore të Kukësit për gatishmërinë dhe përkujdesjen e treguar, gjithashtu falenderojmë edhe banorët dhe kalimtarët e rastit të cilët i janë gjendur pranë në ato momente delikate.
Faleminderit edhe pafund miqve e të njohurve për interesimin dhe solidarizimin.
Shkaku i aksidentit të ndodhur tashmë dihet, fakt që është pranuar dhe marrë përsipër nga prof. Besarti…
….ama një thirrje të sinqertë për Autoritetin Rrugor Shqiptar dhe Entin (kompaninë) që menaxhon Rrugen e Kombit (rrugë me pagesë), ku cilësia dhe siguria e barrierave metalike të rrugës duhen rishikuar urgjent, sepse fakti që automjeti ka dalë jashtë rruge dhe barrierat nuk e kanë përballuar duke e mbajtur në rrugë një veturë normale dhe në shpejtësi normale tregon që duhen rishikuar patjetër barrierat metalike anës rrugës.
Fatmirësisht sot pa pasoja në njerëz por nuk duhet të presim të ndodhë më keq që të reagojmë pastaj.


