Erzeni eshte gati per ndeshjen me Partizanin, që do të luhet sot në orën 14:00 në stadiumin e Rrogozhinës. Në krye të pankinës së shijakasve vijon të qëndrojë Alfred Deliallisi, teksa drejtuesit duken të dyzuar për zgjedhjen e një trajneri të ri pas largimit të Skerdi Bejzades.
U përfol emri i Mirel Josës në ditët e fundit, por mungon një marrëveshje dhe e sigurt është që edhe kundër Partizanit, Erzenit do ta drejtojë Deliallisi.
Ky i fundit, në një prononcim për “Panorama Sport” për sfidën e së dielës, pranoi se është i detyruar të bëjë disa ndryshime në formacion, nisur edhe nga dëmtimet dhe pezullimet e lojtarëve.
“Pas ndeshjes në Shkodër, ku konsumuam shumë energji dhe meritonim një tjetër rezultat, na pret një takim i vështirë kundër Partizanit. Me kampionët në fuqi kemi treguar se dimë të fitojmë, pasi në fazën e dytë ia dolëm në kryeqytet. Kemi zhvilluar një ndeshje të cilën duhet ta rishohim, për ta marrë si shembull të një intepretimi të lartë.
Gjëndja e ekipit është shumë e mirë, por jam i privuar në të dy krahët e mbrojtjes, pasi Osmanllari ka katër kartona të verdhë, ndërsa Peposhi ka pësuar një tërheqje muskulore, që po e lë jashtë grupit. Gjithashtu edhe Sadiki do të na mungoj, pasi nuk është në gjendje optimale. Megjithatë, do t’i zëvendësojmë këta lojtarë për të krijuar ekuilibër.
Duhet të besojmë te suksesi dhe për këtë jemi më të bashkuar se kurrë. Janë edhe 30 pikë në lojë dhe gjithçka mbetet e hapur. Çdo episod, çdo moment, çdo gjë që mund të ndodhi në vazhdim është e rëndësishme për ne, sepse na kushton. Le të luajmë çdo ndeshje si një finale”, deklaroi Deliallisi.