Ndryshe nga paraardhësi i tij, kroati Neven Plantak, trajneri i ri i Vllaznisë në basketboll për meshkuj Nikolay Gospodinov e ka nisur mbarë aventurën e tij në krye të kuqebluve.

Nëse kroati “injoroi” stafin e mëparshëm, madje edhe inspektorin e klubit, ish- basketbollistin e njohur Astrit Zaganjori apo dhe trajnerin e femrave Bledar Gjeçajn, bullgari po tregohet më i zgjuar.

Gjëja e parë që ka bërë kur erdhi në Shkodër ka qenë takimi me të gjithë këta. Ka ndenjur dhe dëgjuar drejtorin e SK Vllaznia Mark Kroqi, e po ashtu edhe inspektorin Zaganjori, ka biseduar me trajnerët e ekipeve të moshave Fatjon Hallunaj dhe Ermal Milla.

Por jo vetëm kaq. Nga sa mësohet, ai ka zhvilluar edhe një takim të gjatë me ish- trajnerin, njeriun që e njeh më mirë se kushdo këtë ekip, Bledar Gjeçajn. Ka marrë prej tij shumë mendime dhe kjo padiskutim që është diçka shumë pozitive.

Përveçse me Gjeçajn, Gospodinov ka qëndruar dhe biseduar edhe me ish- pjestarë të stafit të presidentit të mëparshëm Sokol Dibra. Ka marrë prej tyre ide dhe mendime në lidhje me merkaton dhe mënyrën si funksionojnë gjërat këtu.

Këto pa as më të voglin dyshim do ta ndihmojnë trajnerin e ri të Vllaznisë të punojë më i qetë dhe më i qartë me idetë e tij për të ardhmen e kësaj skuadre. Kontaktet me ish- pjestarët e saj janë shumë të vlefshme sepse ato mbeten dashamirës të ekipit.

Ndërkohë Gospodinov e pat fituar edhe një “betejë” tjetër sepse pa ardhur ende në Shqipëri, në një intervistë për “Shkodra Sport” pat deklaruar se tifozët e Vllaznisë janë më të mirët në botë. Një strategji e bukur kjo e 43 vjeçarit për t’i bërë për vete të gjithë pa filluar ende mirë punë dhe kjo do ta ndihmojë jo pak në rrugëtimin që ka marrë përsipër.
© shkodrasport.com