Eden Hazard dhe Real Madrid janë një “martesë” e përsosur, sipas trajnerit të Belgjikës, Roberto Martinez. Hazard zyrtarizoi kalimin në “Bernabeu” këto ditë, duke u larguar pas tetë vitesh te Chelsea. Ky transferim përflitet se do të rritet deri në 140 milionë euro, edhe pse është deklaruar për momentin shifra e 100 milionë eurove.
Hazard e quajti vendimin më të vështirë të karrierës së tij, duke pranuar se nuk do ta kishte lënë Londrën për të shkuar në ndonjë klub tjetër. Ylli i Belgjikës do ta udhëheqë skuadrën e Zinedine Zidane, pasi gjigantët e La Liga-s do të kërkojnë të përmirësojnë imazhin e sezonit 2018-2019, pa asnjë trofe të fituar. Martinez beson se Hazard dhe Real Madridi përshtaten në mënyrë të përsosur, ndërsa Belgjika përgatitet për kualifikuesen e “Euro 2020”, të martën, kundër Skocisë:
“Real Madridi po merr një futbollist fenomenal. Për Eden nuk mund të ketë kapitull të ri më prestigjioz se ky në karrierë. Ai gjithmonë thoshte se ndihej si në shtëpi në Londër, te Chelsea, kështu që “Los Blancos” ishin i vetmi klub, ku mund të shkonte. Në fakt, Real Madridi ka qenë gjithmonë një ëndërr për të.
Mendoj se do të jetë një përshtatje e përkryer. Gjithçka është arritur falë respektit maksimal të palëve dhe kjo është mënyra se si duhet të bëhen gjërat. Tani të gjithë shpresojmë ta shohim Eden se si do ta fillojë kapitullin e tij të ri te Real Madridi”./telesport/