Borusia e Dortmundit kualifikohet për në gjysmëfinalet e Ligës së kampioneve, pas një ndeshjeje të çmendur kthimi përpara tifozërisë së tyre.
Në fund festojnë verdhezinjtë, një sukses 4-2 që ishte më shumë sesa për infarkt, një duel ku u duk i lehtë në fillim, më pas pa ringjalljen e Atletikos, por në fund për “Colchoneros” vjen kapitullimi dhe eliminimi.

Ndeshja nisi me ritme të çmendura, duke garantuar se spektakli nuk do të mungonte, ndonëse që nuk do të ishte nata e Atletikos u kuptua pas vetëm 5 minutash lojë ku Morata gabon në mënyrë flagrante.

Kaq mjafton dhe Dortmundi vendos të rrëmbejë skenën në fundin e pjesës së parë, kur Brandt dhe Matsen në harkun e pesë minutave shënojnë dy herë dhe i japin kurajë skuadrës së tyre. Por pas pushimit ndryshon gjithçka, duke qenë se skuadra e Simeones bën një presing të frikshëm dhe pasi detyron Humelsin te autogoli për 2-1, vjen e majta e Korreas që zëvendësoi një Morata të fikur, duke dërguar përkohësisht kualifikimin në anën e Atletikos.

Mbaroi? Aspak! Përkundrazi në katër minuta, 71 dhe 74, në fillim vjen goditje me kokë e Fylkrygut dhe më pas bomba e Sabitzerit, e cila luan edhe themelet e stadiumit, me tifozët e Dortmundit që nisin spektaklin e tyre.

Madje, në fund mund të kishte ardhur edhe goli i pestë për skuadrën e Terziçit, por Oblak eviton me një pritje spektakolare dhe i jep fund një ndeshjeje plot tension, por që në fund dërgon në parajsë Dortmundin.

Borusia rikthehet të luajë në gjysmëfinale të Ligës së kampioneve pas 11 vitesh, madje atëherë shkonte deri në finalen e madhe gjermane që në fund do ta humbte përballë Bajernit të Mynihut.

Dhe pikërisht finalja e “Wembleyt” është edhe objektivi i radhës që trajneri Edin Terziç i vë vetes dhe skuadrës së tij: “Ishte një natë e çmendur siç e kisha paralajmëruar dhe jemi të gjithë shumë të lumtur. E dinim që pas ndeshjes së parë që ishim të fortë, sepse edhe atë sfidë nuk meritonim që ta humbnim, por e rëndësishme është që jemi në gjysmëfinale. Tani, objektivi është finalja e Londrës. Frikë nga PSG-ja? Frikë nga askush, e dimë se çfarë mund të bëjmë”.