Trajneri i Borussia Dortmundit, Edin Terzic, po i afrohet shkarkimit nga bankina e gjigantit gjerman për shkak të rezultateve të dobëta këtë sezon dhe drejtuesit e klubit i kanë dhënë ultimatum para ndeshjeve të radhës.

Dortmundi ka fituar vetëm 41 pikë në 23 ndeshje të Bundesligës të luajtura këtë sezon dhe ka 20 pikë më pak se lideri Bayer Leverkusen.

Në xhiron e fundit, Dortmundi u mposht nga Hoffenheim me rezultat 3-2 në shtëpi, më parë barazoi 1-1 jashtë fushe me Wolfsburg, kështu që skuadra është e kërcënuar për të mos arritur një vend që i dërgon në Ligën e Kampionëve.

Sipas gazetës Bild, drejtuesit e Dortmundit i kanë dhënë ultimatum Terzicit që ai të mos humbasë asnjërën nga dy ndeshjet e ardhshme kundër Union Berlin dhe Werder Bremen.

“Dy ndeshjet e ardhshme kundër Union dhe Werder janë shumë të rëndësishme. Nëse Borussia humbet të paktën njërën ndeshje, ka mundësi që Terzic të shkarkohet, sepse nuk ka përparim në lojën e Borussias”, ka thënë një burim i afërt me drejtuesit e klubit.

Bild gjithashtu deklaroi se, në disa skenarë, puna e Terzic mund të shpëtohet edhe me sigurimin e një vendi në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Në ndeshjen e parë të fazës së 1/8-tës, Dortmundi barazoi 1-1 me PSV-në jashtë fushe, ndërsa ndeshja e dytë është planifikuar të zhvillohet më 13 mars në Gjermani.

Terzic mori Dortmundin në dhjetor 2020. Ai e ka udhëhequr klubin në 111 ndeshje, ndërsa më parë ka qenë asistent trajner në këtë klub, si dhe në West Ham dhe Beeiktas, ku ka asistuar Slaven Bilic. /Telegrafi/