Stafet e ekipeve Kombëtare të moshave vijojnë që prej fillimit të javës me seleksionimet e lojtarëve të talentuar që aktivizohen në kampionatin shqiptar. Këtë herë ishte radha e 36 lojtarëve të vitlindjes 2004 të viheshin në urdhrat e trajnerit të ekipit Kombëtar U-18 me trajnerin Ardi Behari që të viheshin në provë gjatë seleksionimit njëditor të zhvilluar në Qendrën e Ekipeve Kombëtare në Kamzë.

Duke folur për FSHF.org, tekniku Behari thotë se ka shumë elementë cilësorë dhe të gjithëve do t’u jepet mundësia të tregojnë vlerat e tyre, duke u mbajtur në vëzhgim të vazhdueshëm nga stefat teknike të Kombëtarëve të moshave. “Në kuadrin e seleksionimit të grup-moshave po zhvillojmë seleksionimin e radhës të vitlindjes 2004, që përfshin 18-vjeçarët dhe është në vazhdën e përzgjedhjeve të ekipeve kombëtare të kësaj moshe.

Sigurisht, që ne jemi bazuar te lista kryesore, por ne po e krijojmë edhe një herë grupin e kësaj moshe. Elementë cilësorë për hir të së vërtetës ka shumë dhe prandaj është përgjegjësia jonë që të evidentojmë sa më shumë nga këta elemente cilësorë, sepse mosha është specifike dhe lojtarët duan kohën e tyre që të shprehen. Kjo grup-moshë ka cilësi të mira dhe ka lojtarë që kanë të ardhme të sigurt, jo vetëm për kampionatin tonë, jo vetëm për ekipin kombëtar në Shqipëri, por edhe jashtë saj” – shprehet Behari.

Gjithashtu, trajneri i ekipit Kombëtar U-18, Ardi Behari, theksoi se pandemia ka krijuar shumë vështirësi, ndërkohë që vlerëson punën e mirë që po bëhet nga strukturat e federatës për elementët e talentuar të kampionatit shqiptar. “Baza jonë janë lojtarët që luajnë jashtë, por për shkak të pandemisë dihen vështirësitë dhe kjo na ka kushtëzuar për t’u marrë me elementët e kampionatit shqiptar.

Gjithsesi, puna jonë konsiston në faktin që asnjë element dhe asnjë lojtar të mos mbetet pa u vëzhguar dhe pa marrë atë që meriton. Është një punë voluminoze, ndaj gjej rastin të falënderoj gjithë strukturat e Federatës. Personalisht doja të falënderoja Presidentin e Federatës, Duka, i cili më dha mundësinë për të punuar me këto grup-mosha, që do të jenë e ardhmja e Shqipërisë në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare” – shton Behari.

Edhe ky seleksionim është ndjekur nga të gjithë trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave.