Vllaznia ka lënë pas eleminimin nga Conference League dhe tashmë është përkushtuar e gjitha për sezonin e ri. Në një konferencë për shtyp, trajneri i shkodranëve, Mirel Josa, i bëri një pasqyrim sfidave europiane, por edhe përgatitjeve për sezonin e ri.

Tekniku kryeqytetas është shprehur se skuadra e tij është gati për këtë edicion të ri dhe se do të luftojë për objektiva madhorë. I pyetur veçmas për titullin kampion dhe merkaton, Josa u shpreh se Vllaznia është gati për luftë, ndërsa theksoi se është në pritje të tjera afrime.

Në fakt, trajneri 59-vjeçar nuk është nga ata që nxjerr justifikime rrugës, por që premton gjithmonë maksimumin në fushë nga ekipi i tij. Ky maksimum nuk është as më pak e as më shumë se lufta për shpalljen kampion.

Ndërkohë, i pyetur nga “Shkodra Sport” për merkaton, trajneri Josa kërkoi të tjera afrime, teksa tha se ekipi ka nevojë të përmirësohet. Në fjalën e tij, ai u ndal kryesisht te reparti i sulmit, ku u shpreh se është e nevojshme ndërhyrja në krah, si edhe në qendër të këtij reparti.

“Unë dhe futbollistët e mi jemi gati për luftë. Njëra skuadër vritet, tjetra shpëton dhe mbijeton. Do të hyjmë për të bërë më të mirën dhe për të fituar ndeshjen. Kemi parë futbollistë që janë paguar dhe kanë ardhur edhe nuk kanë lënë asnjë gjurmë. Kjo gjë jo vetëm te Vllaznia, por edhe te skuadrat e tjera.

Merkato? Personalisht, unë kam kërkesat e mia akoma. Ne mblidhemi me drejtuesit dhe nga propozimet e mia, dalim në një konkluzion. Mua më intersojnë futbollistët që quhen si “vendas”, nga Maqedonia dhe nga Kosova, jo të huaj. Kemi bollëk të huajsh në ekip dhe jemi të limituar për të afruar futbollistë të tjerë të huaj”,-tha gjatë prononcimit të tij, trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa.
Maringlen ZHIVANI