Armando Broja do të rikthehej pas dëmtimit për të luajtur ndeshjen e dytë mes Udineses dhe Çelsit, aty ku u aktivizuan futbollistët e stolit. Sulmuesi shqiptar doli tre herë para portës së Udineses, por nuk arriti të shënonte.

Megjithatë, trajneri Thomas Tuchel duket i lumtur nga paraqitja e këtij futbollisti. Gazetari pranë klubit të Çelsit, Simon Phillips, ka shkruar se menjëherë pas asaj ndeshje ka pasur një takim mes trajnerit Tuchel dhe Armando Brojës.

Tuchel i ka thënë sulmuesit shqiptar që të qëndrojë te kjo skuadër dhe biseda ka qenë shumë pozitive. Shanset më të mëdha janë që Broja të mos lëvizë nga Çelsi pas kësaj merkato verore.

Çelsi pritet të sakrifikojë një nga sulmuesit e shumtë që ka në ekip dhe mediat angleze thonë se, gjermani Timo Werner po bën valixhet gati. Për gjermanin thuhet se do të rikthehet në Bundesligë, aty ku ishte padyshim një super-yll, teksa në Premier League nuk arriti të përshtatej dot.
Maringlen ZHIVANI