Sporti i gjimnastikës në Shkodër çdo ditë e më shumë po njeh rritje e këtë e tregon edhe numri i madh i sportistëve që janë të rregjistruar tek Akademia Vllaznia. Kohët e fundit ndërkohë, si rrjedhojë edhe e pandemisë, ka patur vështirësi si në stërvitje ashtu siç dhe janë anulluar disa aktivitete kombëtare.
Pikërisht për këtë arsye, stafi i trajnerëve ka menduar të organizojë diçka ndryshe për pjestarët e këtij ekipi dhe për rrjedhojë kanë zhvilluar një tabllo gjimnastikore në pikën turistike të Shirokës, që është ndjekur me shumë interes nga një numër i madh qytetarësh shkodranë që ishin të pranishëm.
Trajneri Izmir Kashi në një prononcim për televizionin Rozafa flet me shumë pasion për këtë sport, interesi për të cilin po rritet dita- ditës.
“Kemi rreth 100 femije te rregjistuar ne Akademine e gjimnastikes Vllaznia dhe kjo gje tregon per interesin e madh per kete sport. Jemi kampione te vendit dhe kjo ecuri na ben te mendojme se ne te ardhmen te kerkojme suksesin edhe ne arenen nderkombetare”- ka thene ai.
Izmiri në fakt punon me shumë pasion me këto vajza dhe për më tepër që po çon më tej traditën familjare në këtë sport sepse kujtojmë që babai i tij- Latif Kashi ka qenë një nga gjimnastët më të mirë në historinë e Vllaznisë. Vetë ai thotë se ka dëshirë ta çojë më tej këtë traditë.
Vllaznia prej disa vitesh është kampione e padiskutueshme në gjimnastikë dhe për më tepër, puna e mirë që po bëhet tek Akademia, garanton suksesin edhe në vitet e ardhshme.