Java e 29-të prodhoi disa raste për moviolë, teksa arbitrat nuk iu shmangën dot gabimeve. Juxhin Xhaja në Shkodër dhe Andi Koçi në Korçë morën vendime që ndikuan jo pak në rezultatin e ndeshjes. Megjithatë, në tërësi mund ta quajmë një javë deri diku pozitive për gjyqtarët. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha momentet më të diskutueshme te ndeshjes Vllaznia- Bylis.

VLLAZNIA-BYLISI 2-2

Gjyqtarë: J.Xhaja, D.Rexha (Tiranë), M.Llukmani (Vlorë);

13′ Ndreca fut një top në zonë dhe Zogaj e bllokon në rënie e sipër me pjesën e kokës. Juxhin Xhaja sheh penallti dhe e akordon atë, e megjithatë pamjet dëshmojnë se lojtarit, edhe pse me dy duart e ngritura, sfera i përplaset në kokë. Vendim i gabuar i arbitrit.

35’ Bylisi gjen rrugën e rrjetës me Mozonen, por goli anulohet. Ka kaos, pasi pozicion nuk ka, as faull dhe as pozicion jashtë loje. Si Xhaja ashtu edhe anësori Rexha gabojnë fatalisht, pasi goli ishte më shumë se i rregullt. Marku që u rrëzua në duel me Ndrecën e mbajti këtë të fundit nga fanella, kështu që faulli nuk ekzistonte.

59′ Janku shtyn Zogajn në zonë dhe kërkohet penallti. Loja vazhdon dhe arbitri ka vepruar drejt, pasi nuk kemi të bëjmë me një penallti.

60′ Para se topi të shkonte te Ntepe dhe të vinte goli i dytë i Bylisit, Marku pretendon se i është shkaktuar faull nga Qardaku. Pamjet filmike tregojnë se pretendimi i lojtarit të Vllaznisë nuk është i drejtë.

87′ Ujka shtyn me bërryl në anësore Shtubinën, por anësori Rexha, edhe pse aty pranë, nuk e sheh. Duhej karton i verdhë për lojtarin e Bylisit.