Sezoni i sivjetshëm e gjen ekipin e Vllaznisë në futboll për femra sërish në pjesëmarrjen e rradhës në kompeticionet europiane, siç është ajo e UEFA Women Champions League.
Në fakt, për futbollistet kuqeblu, kampione të Shqipërisë për të nëntin edicion me rradhë, konkurrimi në Europë është bërë tashmë një ritual i zakonshëm. Sa i përket, fazës përgatitore që po zhvillon skuadra duhet thënë se ajo po ecën mjaft mirë, gjë të cilën e konfirmon në një prononcim për “Shkodra Sport” edhe vetë trajneri Nikolin Leka.
Gjatë intervistës për “Shkodra Sport”, trajneri Leka ka folur edhe për programin në vazhdim të fazës përgatitore, duke shprehur shqetësimin e tij për zhvillimin e ndonjë ndeshje miqësore. I pyetur në lidhje me objektivat, Leka beson se Vllaznia do të arrijë të kualifikohet me sukses në grupin e 32-skuadrave më të mira europiane.
Trajneri shkodran u shpreh se ekipi i tij i femrave, çdo ditë e më tepër, po merr ngarkesat e duhura, ndërsa theksoi se edhe afrimet e bëra janë duke u ingranuar me skuadrën e Vllaznisë.
“Ekipi jonë i Vllaznisë ka 10-ditë, që ka filluar përgatitjet për Champions. Seancat stërvitore janë duke shkuar mirë. Gjendja e skuadrës duket e mirë dhe ekipi është duke marrë ngarkesat e duhura. Afrimet e bëra janë duke u ingranuar me ekipin.
Për momentin, stërvitjet jemi duke i zhvilluar në Shkodër dhe Velipojë. Presidenti Lazër Matija është duke shikuar për ndonjë mundësi që të lëvizim, por t’ia lëmë ditëve në vazhdim.
Për sa i përket ndeshjeve përgatitore është e vështirë, sepse ekipet në Shqipëri janë pushim, por presidenti Lazër Matija është duke shikuar që të zhvillojmë një ndeshje me ekipin kampion të Kosovës, sepse edhe ato janë duke u përgatitur për ndeshjet e Champions.
Normalisht që, merkatoja e ekipit nuk është mbyllur. Jemi duke shikuar me kujdes për ndonjë afrim cilësor që ne na shërben në ato pozicione, ku t’i shohim të arsyeshme për t’i dubluar.
Atëherë normalisht që, objektivi i ekipit tonë është kualifikimi në 32-she dhe për këtë, jemi duke punuar shumë dhe si presidenca, si stafi teknik dhe ekipi beson në këtë kualifikim”,-mbylli prononcimin e tij për “Shkodra Sport”, trajneri i Vllaznisë në futboll për femra, Nikolin Leka.
Maringlen ZHIVANI