Klejdi Dibra është një nga mbrojtësit më cilësor dhe të përmendur në Kategorinë e Parë. Sezonin e fundit, futbollisti shkodran ishte pjesë e Burrelit, por duket se tashmë ai do të vijojë një aventurë tjetër.

Burime të besueshme pranë futbollistit në fjalë bëjnë me dije për “Shkodra Sport” që, stafi teknik i Erzenit ka shfaqur dëshirën për shtatlartin. Dibra shihet si një opsion i mirë dhe gjatë ditëve të fundit, palët kanë pasur bisedime.

Cilësitë e treguara dhe eksperienca në ekipe të ndryshme, e bëjnë atë të duhurin për Erzenin për sezonin e ri, aty ku do të formonte një dyshe mbrojtje me shkodranin tjetër, Ditmir Beci. Megjithatë, gjatë kësaj periudhe, burime të “Shkodra Sport” kanë mësuar se, Dibra ka pasur bisedime edhe me klube të tjera të Kategorisë së Parë, si Apolonia, Besëlidhja dhe Besa.

Kujtojmë që, Dibra ka luajtur kryesisht me Besëlidhjen, duke fituar vendin e titullarit dhe duke u shndërruar në një mbrojtës të rëndësishëm të ekipit lezhjan. Më tej, kaloi te Burreli, aty ku me matjanët luajti sezonin e fundit.

30-vjeçari luan në qendër të prapavijës, aty ku aktualisht te Erzeni është edhe shkodrani tjetër, Ditmir Beci. Megjithatë, në ditët e ardhshme mbetet për t’u parë gjithçka rreth së ardhmes së mbrojtësit shkodran, Klejdi Dibra, teksa pista kryesore e tij për të vijuar karrierën sportive është ekipi i Erzenit.
Maringlen ZHIVANI