Shqipëria në futboll për femra, që drejtohet nga Armir Grima, të martën në mbrëmje luan ndeshjen e dytë në Ligën e Kombeve. Bëhet fjalë për ballafaqimin me Irlandën e Veriut, që do të zhvillohet në Belfast duke nisur nga ora 20:00 me orën e Tiranës.

Vajzat kuqezi vijnë nga barazimi 1-1 me Hungarinë të premten pasdite në stadiumin “Loro Boriçi”, ndërsa trajneri i Shqipërisë, Armir Grima, për mikrofonin e Radio Televizionit Shqiptar tregon objektivat për këtë sfidë.

“Do të mundohemi të rehabilitojmë vajzat që kemi. Të bëjmë një pushim të mirë dhe të përgatitemi për ndeshjen, e cila edhe ajo është e vështirë. Madje akoma më e vështirë se sa kjo që kaloi”, theksoi Grima.Madje me të njëjtat objektiva shfaqet edhe autorja e golit ndaj Hungarisë, Qëndresa Krasniqi.

“Objektivat tona si kombëtare besoj se të gjithë i dini, që është të jemi të parët në grup. Besoj se kemi për të punuar shumë edhe për ndeshjet e radhës që besoj se kemi për të marrë rezultat pozitiv”, thotë Krasniqi.

Irlanda e Veriut vjen në këtë sfidë pas humbjes 0-3 me Irlandën, ndërkohë që ndeshja në Belfast do të gjykohet nga spanjollja Zulena Gonzales. Asistente të saj Silvia Fernandez dhe Iria Rosendo Gonzales e gjyqtare e katërt Ilenia Sançez Miguel. Ky është ballafaqimi i parë mes dy përfaqësueseve në futboll për femra.