Deri më sot e kanë pritur të kthehej por më kot. Mbrojtësi rumun Dan Geliu Ignat duket se e ka mbyllur përfundimisht me Vllazninë. Të paktën i këtij mendimi është shfaqur trajneri Lika i cili nga sa shihet, nuk e ka më në planet e tij këtë futbollist.

Jo se nuk e preferon më, por i duhet të përshtatë skuadrën pa të tashmë. Ka qenë vetë numri 1 i pankinës shkodrane ai që e ka bërë të ditur këtë gjë në prononcimin e tij të sotëm për mediat kur është shprehur: “Mbrojtësi Ignat nuk do të jetë më pjesë e jona besoj, sipas gjasave sepse ka kërkuar për arsye të vetat personale të largohet.

E kemi pritur në fakt të vinte, por ende nuk ka ardhur. Dhe kështu që duhet t’i bëjmë planet pa të”. Kjo është parë qartë edhe në mënyrën si e ka përgatitur skuadrën për ndeshjen e nesërme me Kamzën.

Tashmë Vllaznia nuk do të luajë më me 3 mbrojtës në prapavijë, por do t’i kthehet asaj me katër. Një zgjedhje ndoshta e detyruar, por ky është realiteti. Ignat ka luajtur 13 ndeshje në gjysmën e parë të sezonit, duke shënuar edhe një gol dhe tregoi stabilitet me aktivizimin e tij në formacion.
© shkodrasport.com