Diego Longo ka mbetur i kënaqur nga ajo që ka prodhuar skuadra e tij në fushë dhe një barazim ndaj Teutës qëndron, por i vjen keq, pasi shpërdoruan shumë. Në prononcimin pas ndeshjes për “Panorama Sport”, italiani “qan” rastin e Bashës me portën bosh, por pranon që ky është futbolli.

“Ishte një sfidë shumë e mirë dhe dua të përgëzoj Teutën për ndeshjen e mirë që kanë bërë dhe kjo tregon pse janë kampionë. Në tërësi e kontrolluam lojën. Në pjesën e parë patëm raste, sidomos ai i Bashës që me portën bosh i mbetej vetëm ta shtynte në rrjetë. Ndeshja do të kishte ndryshuar, hapur dhe do të kishte bërë më mirë. Jam i kënaqur, por jo shumë, pasi në çdo ndeshje dua të fitoj, gjithsesi një barazim ndaj Teutës është mirë”, u shpreh fillimisht Longo.

ARBITRIMI – Në lidhje me arbitrimin dhe me golat e anuluar, trajneri Longo nuk kërkon të bëjë polemika, madje as nuk ka preferuar t’i shohë rastet e dyshimta, sidomos te goli i parë. “Nuk i kam parë rastet dhe sinqerisht nuk dua të merrem me arbitrat, sidomos pas asaj që ndodhi në ndeshjen e fundit. Nëse ishte gol i rregullt, më vjen shumë keq, por kjo është jeta”, vijoi më tej italiani.

STADIUMET BOSH – Sa i përket stadiumeve bosh, Longo u shpreh: “Më vjen keq për stadiumet bosh, por jam i sigurt që në Kukës do të kemi tifozët tanë dhe jam shumë i kënaqur që do të shkojmë të luajmë atje. Mezi po pres unë dhe ekipi, por jam i bindur se edhe vetë tifozët tanë dhe do të jenë një ndihmë për ne”.

PARTIZANI – Tekniku preku pak edhe ndeshjen me Partizanin. “Është një ndeshje e vështirë. E kam thënë që në fillim se Partizani dhe Tirana janë dy ekipet më të mira. Kanë një ekip të fortë, por ne do të luftojmë deri në fund dhe e di që mund t’i marrim tri pikët”, përfundoi Longo.