Humbja në Shkodër ndaj Vllaznisë nuk ishte fundi i botës për Skënderbeun, por një rezultat i tillë pas një numër paraqitjesh pozitive duket se ua ka prerë pak hovin korçarëve. Ka qenë një humbje që nga ana morale nuk është se është pritur keq nga ana e klubit bardhekuq pasi luanin në transfertë të vështirë përballë një ekipi që është pretendent për titull. Por, mënyra se si kanë humbur në këtë takim duke mos treguar aspak Skënderbeun e ndeshjeve të fundit, duket se ka lënë shije jo pozitive te bardhekuqtë.

Këtë mendimi ka edhe sulmuesi Alfred Mensah, i cili pas ndeshjes me Vllazninë analizon për “Panorama Sport” këtë humbje, ndërsa bën me dije se ekipi dhe mbi të gjitha sulmi nuk ishin në ditën e tyre pozitive për të shfrytëzuar në maksimum momentet e përshtatshme për shënim.

HUMBJA E FUNDIT – “Të them të drejtën, nuk jam aspak i mërzitur me humbjen pasi e dinim që përballë një ekipi si Vllaznia mund të pranohen të tria rezultatet, aq më shumë kur luan në transfertë. Por më shumë më vjen keq për faktin se nuk arritëm dot të dilnim në lojën tonë dhe të ruanim atë ecuri pozitive të paktën edhe me paraqitjet në fushë. Nuk është se kundërshtari na ka dominuar plotësisht pasi në vetëm dy momente të rrezikshme që kishte arriti të shënonte.

Më pas gjithçka ka qenë e balancuar. Por më vjen keq për faktin që nuk mundëm dot të ishim agresivë në fushë sidomos në fazën sulmuese. Nuk ditëm të shfrytëzonim momentet e caktuara që do të na kishin dhënë tjetër ritëm dhe një fytyrë tjetër loje. Gjithsesi, jemi sërish në të njëjtin pozicion dhe e mbyllim këtu ndeshjen me Vllazninë. Ka ardhur koha të mendojmë për ndeshjen e radhës edhe për vetë faktin se nga tani e tutje çdo pikë është e vlefshme për cilëndo skuadër”, theksoi fillimisht Mensah.

KASTRIOTI – Ndeshja e radhës është ajo që ka më shumë rëndësi për Skënderbeun pasi do të luajë në shtëpinë e vet ndaj një kundërshtari direkt për mbijetesë. Njësoj si me Egnatian kjo ndeshje vlen më shumë se tri pikë për korçarët, pasi jo vetëm i shton më shumë pikë klasifikimit por lë pas një kundërshtar për garën e rënies nga kategoria.

Megjithatë, për Mensah gjërat nuk duhen menduar kështu. Kjo, sipas ganezit, është një ndeshje e gjitha për t’u fituar, por jo përballje direkte pasi, sipas tij, Skënderbeu nuk është ekipi që do të luftojë për mbijetesë.

“Jam shumë dakord me ju për faktin që është një ndeshje e rëndësishme sikundër janë të gjitha takimet e këtij sezoni dhe tri pikët në këtë takim janë një kusht i domosdoshëm për ne, por nuk mund të pajtohem me faktin që e quani një ndeshje direkte për mbijetesë.

Skënderbeu nuk është ekipi që do të luftojë për këtë objektiv dhe të jeni të sigurt për këtë. Ka pasur momente të vështira, por tani i kemi lënë pas. Shumë shpejt do të shihni se do të jemi në tjetër situatë. Për këtë ju siguroj”, e mbylli prononcimin e tij Alfred Mensah.