Kombëtarja e Shqipërisë në futboll ka humbur 2-1 me Spanjën në Barcelonë. Miqësorja e luksit ka parë tanët të ndëshkoheshin në fund, me Olmo që ka shënuar një gol të bukur. Uzuni barazoi golin e Torres, teksa të tre golat u shënuan në pjesën e dytë.

Ndeshja ka folur për vendasit, që qarkulluan topin për shumicën e kohës. Do duhej minuta e 75 që dueli të zhbllokohej me Ferran Torres, ndërsa pas 10 minutash Uzuni përfitoi nga një hutim i mbrojtjen së Spanjës.

Në të 90′ Olmo i dha fitoren të tijve, me kuqezinjtë që vijojnë të ndëshkohen në fund. Paraqitje e mirë e tanëve, që kishin edhe disa raste me Brojën dhe Laçin.

Pas ndeshjes foli trajneri i Kombëtares, Edouardo Reja. Italiani tregon se Shqipëria mund të dilte me një pikë, duke harruar që ky duel ishte miqësor.

“Goli në fund – Të vjen keq për djemtë, kanë bërë një paraqitje të mirë. Do ishte bukur të kishim marrë një barazim. Na mbetet zhgënjim për golin në fund, kemi shpenzuar shumë energji. Gabuam te goli i parë, ai pasim nuk duhet të bëhej.

Më vjen keq për gabimet, na ndodhi me Poloninë dhe Anglinë. Ata luajtën mirë, ne mbrojtëm. Spanja është ekip i madh, ne bëmë gjëra të mira. Ishim në lojë deri në fund, detajet dhe pasi i fundit na mungojnë për hapin e madh.

Gjëja më e mirë dhe e keqe sot – Më vjen keq për djemtë, për gabimet që ndodhin në futboll. Ekipit do i jap notë mjaftueshëm, nuk mund t’i dënoj kur bënë 90 minuta të mira taktikisht. S’mund të them se kishte nota negative, u ndëshkuam nga episodet, mund të shkonim në shtëpi me një pikë.

Duhet të luanim më shpejt. Bëmë mjaftueshëm. Te zotërimi i topit nuk ishim të aftë, Spanja s’të jep kohë të marrësh frymë. Me Brojën bëmë nisje të mira, me fat mund të pretendonim më shumë. Nuk kam pse i vë nota lojtarëve, as reparteve. Duhet të jemi të përqëndruar jo për 9 por për 90 minuta”, tha Reja.