Trajneri Naxhi Shensoji është një emër i njohur për futbollin shqiptar teksa ka qenë në drejtimin e dy klubeve si Bylis dhe Kukësi. Ndërkohë, tashmë Shensoji është në krye të ekipit të Lirisë në Kosovë, ndërsa është rikthyer të flasë për kohën e tij në Shqipëri.
Në një intervistë për Arena Sport, Shensoji shprehet se presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj dhe ai i Kukësit, Safet Gjici nuk kanë lidhje me sportin. Ndër të tjera, trajneri përmend edhe finalen e Kupës që luajti me Bylisin në vitin 2013, por që e humbi përballë Laçit, teksa është i sigurt se ajo ndeshje u vendos nga arbitrat.
“Shumë herë më kanë pyetur në Azerbejxhan nëse filozofia ime është nga futbolli turk apo jugosllav. E kam thënë këtë gjë dhe nuk kam arsye përse ta fshehim. Unë e kam transmetuar filozofinë e futbollit jugosllav dhe për këtë duhet të flasim me argumente. Kjo është njëra ndër arsyet përse ndoshta në Shqipëri xhelozojnë. Atje nuk i duan trajnerët nga Kosova, unë isha i pari dhe me gjasa kam mbetur i fundit, pasi që askush më tjetër nuk ka shkuar”.
Aventura në Shqipëri? “Të dish dhe të duash janë dy gjëra krejtësisht të kundërta. Ata që financojnë në klubet sportive janë si Skënderbeu me internetin. Shembull Safet Gjici i Kukësit dhe Besnik Kapllanaj i Bylisit nuk kanë lidhje me futbollin dhe janë shumë larg tij.
Kam arritur në finale me Bylisin, një skuadër jo shumë e madhe, por që arriti një sukses të madh. Në finale arbitrat na vodhën ndeshjen dhe këtë mund ta them lirisht. Që nga ajo kohë, skuadra e Bylis asnjëherë më nuk pati këso suksesi”, u shpreh Shensoji. /VipSport/