Rino Gatuzo nuk tërhiqet asnjëherë kur bëhet fjalë për sherr, as kur personi me të cilin do të debatojë është vetë Ministri i Brendshëm i Italisë dhe njëkohësisht zëvendëskryeministër, Mateo Salvini. Ky i fundit, një tifoz i zjarrtë i Milanit, nuk ngurroi të kritikonte trajnerin në mediat italiane pas barazimit 1-1 më Lacion që erdhi në minutat e fundit të ndeshjes.

“Pasi shënon në një ndeshje kaq të komplikuar është normale që të mbyllin në zonën tënde. Po Gatuzo çfarë priste të bënte zëvendësimet? Shtesat? Ma shpjegoni pak këtë kokëfortësi të Gatuzos se kishte shumë të lodhur si pasojë e shiut, fushës së rënduar…

Nëse kalon në avantazh dhe e di që të mbyllin në zonë, vër dy lojtarë të freskët në krahë”, ishte “këshilla” e ministrit italian që nuk i ka pëlqyer shumë trajnerit të Milanit.

“Unë nuk flas për politikë se nuk e kuptoj. Salvinit i them të mendojë për politikën pasi kemi probleme të mëdha në Itali. Me të gjithë problemet që ka Italia, Salvini flet për Milanin, gjë që më tërbon. Ka kohë që thotë këto gjëra, më parë me Higuain, sot me zëvendësimet.

Unë si shtetas italian mund t’i them shumë gjëra Salvinit”, ishin fjalët e Gatuzos në konferencën për shtyp pas ndeshjes kur mësoi për këto kritika. /vipsport/