Ndodh edhe kështu. Erdhi si përforcim në fillim të këtij viti tek Vllaznia, me idenë për ta ndihmuar atë që të shpëtonte nga rënia prej kategorisë. Jo vetëm që nuk e bëri këtë gjë, por në verë e hodhi në gjyq sepse dëshironte të prishte kontratën e të largohej për tek Tirana.

E kemi fjalën për mbrojtësin shqiptaro-maqedonas Sedat Berisha. Por ai jo vetëm që ka luajtur shumë pak deri më tani me bardheblutë por tashmë ka përfunduar tek ekipi “B”.

Sëbashku me afrikanin Ngo, edhe ish-futbollisti i Vllaznisë ditën e djeshme ka luajtur me ekipin e dytë të Tiranës dhe madje edhe atë nuk e ka ndihmuar dot të ndalojë humbjen 0-3 ndaj Gramshit.

Duket se “namët” e shkodranëve po e ndjekin nga pas këtë futbollist. Dhe për çudi, tek bardheblutë nuk po e dëgjojmë të ankohet, edhe pse nuk po e trajtojnë ashtu si duhet.
© shkodrasport.com