Vllaznia këtë vit po shkëlqen në transferta. Plot 16 pikë nga 28 që ka grumbulluar në total për këtë sezon i ka marrë pikërisht jashtë fushë (mes 4 fitoresh dhe 4 barazimesh). Nëse në shtëpi ka pasur oshilacione të mëdha dhe kryesisht kur luanin me drita, dy humbje si udhëtuese nuk janë shumë.

Statistikat janë më se të mira, pasi në fund të fundit askush nuk është më mirë se ata. Madje, edhe Kukësi me Tiranën që po garojnë për titullin, kanë nga një disfatë më shumë në transferta. E megjithatë, e shkuara përballë Teutës nuk i favorizon fort dhe pikërisht jashtë fushe.

Të fundit herë kanë fituar në “Niko Dovana” gati 5 vite e gjysmë më parë, konkretisht më 31 gusht 2014. Asokohe ia dilnin falë një goli të Arsid Krujës në të 79-ën minutë.

Në të gjitha ndeshjet pasardhëse, nuk kanë triumfuar dot. Zyrtarisht janë luajtur 9 takime mes kampionatit dhe Kupës, por numërojnë 7 humbje në Durrës dhe vetëm 2 barazime.

Shkodranët kanë më shumë se një motiv më shumë për të fituar të dielën: të thyejnë këtë “tabu” që i përndjek prej vitesh në “Niko Dovana” dhe të ruajnë rekordin që kanë në transfertë në Kategorinë Superiore.