Historia e klubit Vllaznia ka patur brenda saj jo vetëm futbollistët dhe trajnerët e ekipit të parë, ata që kanë marrë vëmendjen më të madhe. Një kontribut të madh në vite kanë dhënë për këtë klub dhe ngjyrat kuqeblu edhe trajnerët e moshave, zyrtarët dhe njerëzit e tjerë.

Njëri prej tyre është edhe Agim Medja, njeriu që meriton padyshim vlerësim dhe respekt. U ndalëm sot tek ky personazh ngaqë ka edhe ditëlindjen dhe feston 70 vjetorin e lindjes. Gazeta “Shkodra Sport” i uron profesor Agimit edhe 100 vite të tjera të lumtura!

Ka lindur në Shkodër më 18 qershor 1952 dhe që në rini angazhohet shpejt me futbollin dhe më pas ndjek studimet e Insitutit të Fiskulturës “Vojo Kushi” në Tiranë, duke u angazhuar edhe me ekipin e Shkëndisë dhe është pjestar i brezit të parë që e krijoi atë në vitin 1967 bashkë me emra të tillë si Vladimir Ajazi, Bajram Hushi, Milto Gurma, Petrit Gjoni, Fisnik Kosova, Leonidha Çurri, Edmond Zalla, Agim Bulku, Agron Sulaj, Vasillaq Zëri, Mehmet Spahiu, Bashkim Tufa, Xhorxh Puka, Ridvan Koxha etj.

Kthehet në Shkodër pas përfundimit të studimeve dhe i bashkohet Vllaznisë por është i pafat. Pëson një dëmtim të rëndë dhe është i detyruar t’i japë lamtumirën futbolit të luajtur. Por vetëm atij sepse karriera e tij më e sukseshme do të niste më pas, ajo e trajnerit.

Agim Medja ka punuar për shumë vite si trajner moshash tek ekipet zinxhir të Vllaznisë, ndërkohë që ka qenë edhe pjesë e stafit të ekipit kombëtar U17 bashkë me Mexhit Haxhiu me të cilin ka punuar për shumë vite. Ndërkohë në momente të caktuara, në periudha të shkurtëra i është besuar edhe drejtimi i ekipit të parë të Vllaznisë sa herë që ai ndodhej në ndonjë krizë dhe duhej përvoja e tij për ta nxjerrë prej saj.

Pas lënies së trajnimit ndërkohë ka punuar edhe si sekretar i Klubit të Futbollit Vllaznia për vite me rradhë ku është evidentuar si një zyrtar shumë i rregullt dhe strikt në zbatimin e detyrave.

Gjatë periudhës kur nuk ka qenë i angazhuar me Vllazninë, ka vijuar profesionin e tij të mësuesit të edukimit fizik në shkollën “Xheladin Fishta”, aty ku dhe doli në pension.

Agim Medja mbetet një figurë shumë e respektuar në Shkodër dhe më gjerë, një trajner shumë i mirë dhe një drejtues shumë i zotë.
Gjergj KOLA