Uruguai-Francë është çifti i parë çerekfinal i këtij Botërori, dy skuadra të cilat kanë ditur të bëjnë surprizën e madhe dje, duke eliminuar jo vetëm dy pretendente kryesore, respektivisht Argjentina dhe Portugalia kampione e Europës në fuqi, por në të njëjtën kohë edhe dy “perënditë” e futbollit, Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldo.

Dy skuadrat, të cilat do të ndeshen mes tyre më datën 6 korrik, në Nizhni Novgorod, do të përballen për herë të katërt mes tyre në një Kupë Bote, por për herë të parë në një fazë me eliminimin direkt.

Dueli i fundit mes Francës dhe Uruguait ka qenë në fazën e grupeve të Botërorit 2010, në Afrikën e Jugut, sfidë e mbyllur në barazim 0- 0.

Me të njëjtën rezultat ka përfunduar edhe dueli në “Japoni-Kore e Jugut 2002”, sërish në fazën e grupeve.

Ndërkohë që hera e parë mes të dyjave ka qenë në Botërorin anglez 1966, në grup, me uruguaianët që mposhtnin 2-1 “Gjelat”. Ndërkohë, precedentët e tjerë flasin për katër miqësore, të cilat e kanë parë dy barazime të tjerë pa gola në vitet 2012 dhe 2008, ndërsa në 2013-ën ishte Uruguai që i mundte minimalisht francezët 1-0, teksa në 1985, ishin “Gjelat” që festonin 2-0 me amerikano-jugorët.

Për sa i përket duelit të parë absolut në histori mes dy kombëtareve, ai daton në vitin 1924, sfida çerekfinale e Lojërave Olimpike, takim i fituar me goleadë nga Uruguaianët, 5-1 kundër Francës.