FSHF ka përfunduar me sukses një tjetër edicion të kursit të licensimit për trajnerë të nivelit UEFA A, që është një mjaft nivel i rëndësishëm, pas licensës UEFA PRO. Kështu, me këtë licensë, tashmë janë pajisur edhe tre trajnerë shkodranë dhe njëkohësisht edhe ish-futbollistë të Vllaznisë.

Fjala është për tre shkodranët Alsid Tafili, Arbër Shytani dhe Ndricim Shtubina, me këtë të fundit që mban edhe rolin e zv/trajnerit tek ekipi i parë i Vllaznisë. Karriera e tyre e trajningut tashmë sapo ka nisur dhe duke qenë se duan ta shohin veten sërish pranë futbollit, por tashmë në rolin e trajnerit, kanë marrë edhe licensën përkatëse.

Të tre ata, Tafili, Shytani dhe Shtubina kanë ndjekur me përpikmëri kursin “UEFA A” dhe ditën e sotme, janë diplomuar edhe me licensat përkatëse. Padyshim që, këto janë vetëm hapat e parë të karrierës për ta, sepse në vazhdim do të kenë mundësi të marrin edhe një tjetër kualifikim, atë të “UEFA PRO”.

Kështu, përvec Shtubinës që tashmë dihet që është zv/trajner tek ekipi i parë i Vllaznisë, Arbër Shytani aktualisht është në krye të Djelmnia Shkodrane U-17, ndërsa Alsid Tafili ende nuk është tërhequr nga fusha e blertë, ku do të vijojë të luajë akoma edhe për një sezon tjetër si futbollist tek Tërbuni i Pukës dhe si rrjedhojë, nuk ka marrë ende asnjë ekip për të trajnuar.

Realisht, si Tafilin, Shytanin, por edhe Shtubinën në një të ardhme të afërt ndoshta mund t’i presin shumë suksese, sepse me punën e tyre po tregojnë se duan ta bëjnë me shumë dëshirë këtë profesion.
Maringlen ZHIVANI