Shtohet kaosi rreth përfaqësueses shqiptare të futbollit dhe lajmit se në radhët e saj mund të ketë pasur futbollistë të infektuar. Institucioni i futbollit e hodhi poshtë këtë teori, por vetëm gjatë ditëve të fundit, dyshimet janë rritur nga deklarata e qëndrime klubesh në Danimarkë e Holandë.

Nga grumbullimi u larguan dy lojtarët e përfolur si të infektuar, Ardian Ismajli e Ylber Ramadani, për të cilët u publikuan edhe rezultatet e tamponëve. Por mesfushori aktualisht është i izoluar pasi ka rezultuar pozitiv, ndërsa në klub insistojnë se ka qenë i infektuar që në Shqipëri dhe një pjesë të karantinës e ka bërë në vendin tonë.

Përballë heshtjes së FSHF, situate bëhet edhe më e e çuditshme nga fakti se klubi i Tuente ka vendosur në karantinë të paktën deri të hënën Lindon Selahin, i cili ishte i grumbulluar me kuqezinjtë, duke bërë që ai të humbiste ndeshjen e parë të kampionatit. Edhe klubi holandez ka shpjeguar se kjo ishte masë parandaluese për shkak të faktit se te Shqipëria kishte futbollistë që kishin rezultuar pozitivë.

“Dy lojtarë të Shqipërisë kanë rezultuar pozitivë”, shkruan “Tubantia”, që ka marrë edhe shpjegimin e e trajnerit Jans. “Lindoni ka rezultuar negativ dhe nuk ka asnjë shqetësim, por protokolli thotë se ai duhet mbajtur i izoluar nga pjesa tjetër e grupit, të paktën për momentin.

Klubet po bëjnë çfarë është e mundur për të zbatuar protokollet, por duhet që herë pas here të lejojmë lojtarët në ekipet kombëtare. Kjo do të ndodhë edhe në tetor e nëntor, edhe pse Lindoni nuk ka luajtur asnjë minutë, nuk kemi çfarë të bëjmë”, ishte ankesa e trajnerit të Tuentes, e cila e nisi sot kampionatin me një fitore 2-0 ndaj Sitard. /vipsport/